Në një kohë që policia e Shkodrës ende nuk ka reaguar në lidhje me personin që shikoni në video, i dyshuar që është Ibrahim Lici teksa qëndron afër trupit të pajetë të vëllait Hazma Lici, Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka kallëzuar efektivët e policisë për shpërdorim detyre pranë Prokurorisë.
AMP dyshon se ata kishin për detyrë ta shoqëronin këtë person, i cili besohet se ishte i treti që po udhëtonte në mjetin tip Benz, ku ndodhedhin edhe dy viktimat e atentatit mafioz, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Lexo edhe :
Related Posts
Burime shtojnë se policët që ishin në vendngjarje duhej gjithashtu të bënin shoqërimin e të gjithë personave të dyshuar, apo që mund të kishin dijeni mbi rrethanat e krimit.
I riu ende i paidentifikuar zyrtarisht për grupin hetimor, dyshohet se është Ibrahim Lici, një nga personat e shumëkërkuar nga drejtësia për krime të rënda.
Madje Ibrahim Lici dyshohet se ka mbetur i plagosur në këtë ngjarje, me plagë të lehta që nuk i kanë rrezikuar jetën.
Për këtë gjë Policia ka ushtruar kontrolle në spitale dhe klinika private të Shkodrës, kontrolle që nuk kanë dhënë asnjë rezultat.
Gjithashtu hetuesit besojnë se Ibrahim Lici pas masakrës ka shkuar në banesën e tij dhe më pas është dërguar me një makinë në qytetin e Fierit ku është mjekur në një klinikë private.
Ndërkohë kontrolle janë ushtruar në klinika jo vetëm në Fier, por edhe në qytete të tjera të jugut.
Masakra e 30 tetorit ishte një ngjarje që tronditi vendin ku për pasojë 4 persona humbën jetën.
Autorët të cilët ishin me një mjet tip Range Rover, që rezultoi i vjedhur në Durrës në muajin prill qëlluan me breshëri plumbash duke lënë të vdekur Hamza Licin dhe Arlind Bushatin.
Për pasojë mjeti i viktimave përplasi motorin që po lëvizte Bashkim dhe Flutura Basha, çifti i bashkëshortëve të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve të marra./vizionplus.tv