Robert Mueller, prokurori special që po heton pretendimet mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane të viti 2016, ka ngritur një akuzë të rëndë ndaj ish-shefit të fushatës së presidentit Donald Trump, të cilin e akuzon për përpjekje “për ngatërrimin e dëshmitarëve”.

 

Ai ka deklaruar se Paul Manafort, ka kontaktuar dëshmitarët përmes telefonit dhe mesazheve të koduara, në përpjekje për të siguruar “dëshmi të rreme”. Manafort, gjithsesi i mohon akuzat e ngritura mbi të, përfshi edhe atë për mashtrim.

 

Në padinë e dorëzuar nga Mueller thuhet se, pretendimet për ngatërrim të dëshmitarëve përbëjnë shkelje të kushteve të lirisë së Manafortit, ndaj dhe nxit gjykatësin e çështjes të rishikojë lirimin e tij me kusht. Kjo mund të bëjë që Manafort, i cili ndodhet në arrest shtëpiak prej muajit tetor, të burgoset përpara gjyqit.

 

Në dosjen që Mueller dorëzoi në gjykatë, thuhet se FBI ka dokumente, deklarata dhe regjistrime telefonike që tregojnë se Manafort ka bërë përpjekje të komunikojë me dëshmitarë të mundshëm në muajin shkurt, në shkelje të kushteve të lirimit të tij me kusht.

 

Manafort është akuzuar më herët për pastrim parash dhe mashtrim me taksa. Presidenti Donald Trump e ka mohuar vazhdimisht bashkëpunimin me Rusinë dhe e ka quajtur hetimin e prokurorit special “një gjueti shtrigash”. Hetimi që nisi vitin e kaluar ka dhënë deri më tani 22 dënime: 16 për individë rusë dhe kompani, ndërsa të tjerët për amerikanët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *