Operacioni “Premtimi” i së enjtes, i pari që goditi drejtëpërdrejt krimin elektoral, vuri përpara përgjegjësisë penale, gjashtë persona të angazhuar politikisht në Shkodër.
Menjëherë pas shoqërimit në polici atyre iu gjetën lista me emra qytetarësh, dokumente të ndryshme, një shumë parash, tollona karburanti dhe iu sekuestruan 7 celularë.
Dyshimet janë që ata po blinin vota për PSD e Tom Doshit, mirëpo diçka të tillë, kjo forcë politike e ka përgënjeshtruar.
Drejtimi i gishtit ndaj kësaj partie, nuk është asgjë më shumë sesa sulm i drejtëpërdrejtë ndaj social demokratëve, shkruan zyrtarisht PSD.
Pas shoqërimit në polici, ata u lanë të lirë.
Por kontrollet janë intensifikuar në të gjithë zonën e Shkodrës në Malësi e Madhe, Barbullush, Bushat, Mjedë e Vau i Dejës, ndërsa zhvillimet u përcollën në terren edhe nga Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani që zhvilloi një sërë takimesh.
Më pas ai u zhvendos në në Lezhë një takim me Task Forcën e krijuar prej institucionit të drejtuar prej tij.
Kontrolle janë bërë edhe në Elbasan e Vlorë, ndërsa pritet të shtohen edhe në dy ditët e fundit të mbetura nga zgjedhjet paralementare./vizionplus.tv