E martë, 6 Tetor 2026 Lajme Ora 19:00 dhe Moti deri në 20:00 Në vijim ora 20:00: Zilia Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

Hetimi i krimeve elektorale, Mërtiri: SPAK ka instumentet për monitorimin e aktorëve që blenë vota

Prokuroria e Posaçme publikoi sot strategjinë e hetimit të krimit zgjedhor për parlamentaret e 11 majit. Nën drejtimin e kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani masat kanë në përmbajtje 5 pika. Ngritja e një task force është e para.

Krahas punës në terren SPAK do të ngrejë një platformë digjitale, ku qytetarët mund të denoncojnë raste të krimeve zgjedhore. Denoncimet e tilla do të mbikëqyren nga një grup pune i posaçëm që do të monitorojë dhe përcjellë informacionet në Strukturën Qendrore. Thelbësore në këtë proces do të jetë edhe monitorimi financiar gjatë zgjedhjeve. SPAK sqaron se veprat penale që do të hetohen janë, krimi zgjedhor i kryer nga zyrtarë të lartë apo grupi i strukturuar kriminal dhe korrupsioni aktiv e pasiv.

Reklamë

Analisti Ergys Mërtiri në një lidhje direkte në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me gazetarin Aleksandër Furxhi, tha se nëse SPAK ka vullnetin e duhur për ta çuar deri në fund këtë nismë, do të ketë efekt sepse mund të mbahen nën monitorim aktorët që merren me blerjen e votave. Gjithashtu Mërtiri tha se SPAK ka të gjitha mekanizmat për të penguar krimet elektrorale.

Intervista e plotë

Reklamë

-Krimi zgjedhor në Shqipëri është i ngulitur prej kohësh dhe me autorë të ngjashëm për nga tipologjia, si nga qeveria dhe nga opozita. A beson se kjo strategji që sot ka sjellë SPAK mund të sjellë diçka, mund të ketë efekt realisht?

Mërtiri: Nëse ka vullnetin e duhur për tu çuar deri në fund, mund të ketë shumë efekt sepse duke i mbajtur nën monitorim aktorët të cilët merren me blerjen e votës patjetër që kjo është e shmangshme.

SPAK ka të gjithë mekanizmat për ta penguar këtë, sigurisht mund të ketë pengesa që vijnë nga policia apo struktura shtetërore të cilat ndoshta nuk kanë vullnetin ta çojnë deri në fund. Por nëse të gjithë bashkë e kanë këtë vullnet, dhe unë besoj se SPAK ka një pjesë të mirë të vullnetit dhe të mjeteve mund të bëhet një ndryshim shumë i madh.

Duke i mbajtur në vëmendje aktorët, të cilët dihet se kush janë, që merren me blerejn e votës, ata mund të neutralizohen. Nëse vendosen në përgjim ata nuk mund të bëjnë asnjë lloj veprimi. Kjo mund të sjellë një efekt tjetër të cilësisë së lirisë në zgjedhje.

-Kjo strategji paralajmëron një vullnet të shprehur qartë nga SPAK për t’i vënë fre krimeve elektorale në Shqipëri. Por sivjet do të kemi votimin e diasporës, i cili lë shumë hapësirë për shkelje elektorale. SPAK në këtë aspekt nuk është se ka shumë hapësirë, apo jo?

Mërtiri: Kjo ka të bëjë më shumë me KQZ. Vetë procesi është shumë i gjatë dhe me hallka  dhe secila hallkë është një derë e mundshme drejt manipulimit. Këtu ekziston rreziku që forcat politike, sidomos PS që mund ta përdorë pushtetin për të trafikuar votën e emigrantëve duke seleksionuar ato grupe emigrantësh që janë në anën e saj për të votuar dhe duke e përdorur kontrollin e votës si instrument kërcënimi. Vërtet nuk janë shumë vota, por në qarqe të caktuara mund të bëjnë dallimin për një deputet./vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë