Subscribe

Ekspertët e mjekësisë ligjore kanë përjashtuar tollumbacet e përdorura në mitingun hapës të Partisë Demokratike, si shkaktarë te lëndimit të 140 simpatizantëve të PD, si dhe kreut të partisë Lulzim Basha.

 

Burimet thanë për Vizion Plus se testet e kampionit të marrë në shesh, rezultuan me helium, çka nuk përbën rrezik për shëndetin, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të gjitha tullumbacet, kjo për shkak të vonesës në nisjen e hetimeve dhe sekuestrimit të vetëm një prove.

 

Ndërkohë, testeve bakteriologjike i janë nënshtruar kampionë djerse, si dhe të lotëve, në një kohë që priten rezultatet përfundimtare. Një tjetër test që pritet të bëhet është dhe ai i rrezeve ultravioletë të transmetuara nga prozhektorët e përdorur në mitingun hapës të Partisë Demokratike, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e hedhjes së ndonjë lënde kimike.

 

Për këtë në hetim u angazhua edhe njësia e specializuar e ushtrisë, por deri më tani nuk ka të dhëna që në miting të jenë hedhur qëllimisht lëndë të tilla. Në lidhje me ngjarjen, policia referoi në prokurori çështjen penale për ndotje ambienti.

 

Rreth 140 persona, mes tyre edhe vetë Lulzim Basha, përfunduan në orët e para të mëngjesit të së dielës në spital. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, të gjithë kishin simptoma të ngjashme, shenja të helmimit, kryesisht djegie në sy, si dhe skuqje lëkure në pjesët e sipërme të trupit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *