E shtunë, 26 Shtator 2026 Film TV deri në 03:25 Në vijim ora 03:25: Lajmet e Fundit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Kronikë

Hetimet për vrasjen e postierit, burg për Eduard Lamin, dyshohet i përfshirë në krim

Eduard Lami, që u arrestua të shtunën për armëmbajtje pa leje është lënë në burg nga Gjykata.

Në seancë, ai nuk ka dhënë detaje, ndërsa gjykata e Tiranës i dha të drejtë kërkesës së organit të akuzës, për ta lënë në masën shtrënguese, “arrest në burg”.

Policia ka dyshime, se ai mund të jetë i përfshirë në ekzekutimin e postierit, Lulzim Visha në Kamëz i cili u qellua me 15 plumba ne orët e para të mëngjesit të së premtes, 24 janar.

Në shtëpi uniformat blu i sekuestruan një armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sopatë, një thikë, një këllëf pistolete glok dhe në oborrin e shtëpisë janë gjetur 4 gëzhoja armë.

Lulzim Visha, që punonte në një postë private, u gjet i vrarë brenda makinës së punës në zonën e Zall Mnerit, në Kamëz.

Pak muaj më parë, viktima dhe Lami dyshohet se kanë pasur një konflikt pronësie, ndaj policia ka dyshime se ekzekutimi i tij, mund të ketë qenë pasojë e këtij konflikti.

Në kërkim është shpallur edhe kushëriri i Eduard Lamit, Ervis Lami, për armëmbajtje pa leje.

ndërkohë Policia është në pritje të përgjigjes nga Policia Shkencore në lidhje me gëzhojat e gjetura në vendngjarje.

Pritet që laboratori i policisë të përcaktojë nëse gëzhojat janë qitur nga arma e gjetur brenda automjetit të djegur tip “Porsche” që dyshohet se i përket autorëve.

Ndërkohë në laborator është dërguar edhe arma e gjetur në banesën e familjes Lami për të parë nëse është përdorur në krim apo jo.

Mësohet se policia kishte dijeni që mes familjes Visha dhe asaj Lami kishin ndodhur konflikte fizike pak kohë me parë, por nuk është marrë asnjë masë./vizionplus.tv

Më shumë video