Prokuroria e Durrësit është ajo e cila pritet të hetojë dosjen penale të plagosjes së gjyqtarit Artan Gjermeni. Kjo sipas procedurës ku parashikohet se për një gjyqtar të Tiranës, nuk mund të hetojë Prokuroria e Tiranës. Burime pranë organit të akuzës thanë se policia e ka referuar si plagosje të lehtë me dashje ndërkohë që nuk ka ende një autor. Ajo që ngre pikëpyetje për uniformat blu janë paratë e gjetura në makinën tip “Smart” të gjyqtarit Gjermeni, të cilat më pas u sekuestruan nga policia. Edhe pse nuk ka një informacion zyrtar nëse do të ketë hetim pasuror, policia e ka pasur të pamundur të vijojë veprimet, pasi në vendngjarje ato u udhëhoqën nga Prokuroria. Mbrëmjen e plagosjes në spital ishin dy prokurorë një nga krimet e rënda dhe një nga Prokuroria e Tiranës. Nga ana tjetër, origjina e parave pritet të verifikohet nga Prokuroria. Vetë gjyqtari Gjermeni refuzoi të bashkëpunojë me policinë, duke këmbëngulur në versionin e tij se dëmtimet për të cilat u mjekua pasditen e 17 janarit i mori aksidentalisht nga një llamarinë prerëse në garazhin ku parkon makinën. Por hetuesit dyshojnë dhe mbi vendndodhjen e plagosjes së gjyqtarit. Për këtë janë sekuestruar disa kamera sigurie, ndërkohë që edhe pse ende e pakonfirmuar dyshohet se gjyqtari është plagosur në një tjetër zonë dhe më pas ka shkuar të marrë mjetin e tij në garazh. 12 persona mes tyre dhe familjarë u pyetën pas ngjarjes për të cilën gjyqtari pretendon se ishte aksidentale. Dëshmitë e marra në polici ende nuk kanë hedhur dritë mbi ngjarjen pasi familjarët e gjyqtarit deklaruan se nuk kanë dijeni mbi rastin apo dhe paratë.