Policia e Tiranës ka sekuestruar një serë kamerash sigurie të bizneseve në afërsi të pallatit që u përfshi nga flakët në zonën e njohur si “Farmacia 10”.
Referuar kamerave të sigurisë në pamje shihen disa fëmijë të mitur që luajnë në afërsi të marketit i cili u përfshi i pari nga flakët.
Dy prej tyre afrohen te kartonët me mbeturina të marketit të vendosura te fasada e pallatit dhe hedhin në dukje një letër brenda.
Pas 7 minutash kutitë marrin flakë. Zjarri arrin të depërtojë brenda strukturave të fasadës të objektit, ku për shkak të materialit jo të duhur të përdorur në ndërtim, flakët në pak minuta përpijnë gjithë godinën.
Megjithatë nuk përjashtohet as mundësia që një cigare e ndezur e hedhur nga lart, të jetë shkaku i tragjedisë. Zjarri është favorizuar nga materialet e dobëta dhe të djegshme të fasadës të pallatit, ku brenda më pak se një orë flaket arritën deri në katin e 12 duke e mbuluar godinën.
Për këtë ngjarje nën hetim është vënë pronari i kompleksit “Arlis” Armando Lilo si dhe 2 punonjëse të marketit. Sakaq, është arrestuar menaxherja e marketit, administratori i pallatit, inxhinieri drejtues i punimeve dhe administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit.
Një tjetër element që nxjerr zbuluar punimet jocilësore të firmës “Arlis” është edhe kontrata e firmosur për ndërtimin e fasadës, ku klientët garantoheshin se ndërtimi ishte cilësor dhe me materiale të sigurta kundër djegies.





