Subscribe

Hetimet për supergrabitjen në aeroportin “Nënë Tereza” kanë zbuluar një sërë shkeljesh nga kompania e sigurisë së Rinasit, por edhe policia e administrata. Sipas Prokurorisë, në momentin e grabitjes paratë nuk shoqëroheshin nga persona të sigurisë fizike dhe të armatosur, pasi rregullorja e Rinasit parashikon që brenda në terminal të futen vetëm automjetet që transportojnë paratë të pashoqëruar nga te tjerë. Një tjetër shkelje qe ka gjetur Prokuroria është edhe mosfunksionimi i alarmit. Sistemi i sigurisë nuk ka dhënë sinjal as kur grabitësit prenë menteshat e derës me gërshërë metalike dhe u futën brenda në pistë. Policia e Shtetit sipas hetuesve, nuk veproi në kohë edhe pse masat ishin shtuar. Plani operacional konsistonte vetëm kontrolle të ambienteve të brendshme të Rinasit, ndërkohë që nuk ishte parashikuar asgjë me perimetrin e sigurisë së terminalit. Për këtë Prokuroria e Krujës lëshoi 5 urdhërarreste me akuzat e shpërdorimit të detyrës. Në pranga ranë Arben Karafili, drejtor operacional i kompanisë “ICTS”; Bledar Blloshmi dhe Fadil Jonuzaj, të dy agjentë sigurie; Kujtim Picari, shoqërues i vlerave monetare të bankës së nivelit të dytë; si dhe Vangjel Nikolla, kreu i Degës Teknike të Aeroportit. Një ditë më parë prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla urdhëroi nisjen e verifikimeve për drejtues dhe zyrtare te policisë, të cilët kishin si detyrë te garantonin sigurinë, si brenda ashtu edhe jashtë aeroportit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *