Subscribe

Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka njoftuar për hetimin dhe arrestimin e dy punonjësve qe u perfshinë në dy ngjarjet e mbrëmjes së të hënës.

 

Në pranga është vënë Ludian Zaimi me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 për vrasjen me dashje të kolgut të tij, Çaush Saliasi.

 

Gjithashtu në pranga është vendosur edhe Lutfi Gjyli me detyrë trupë shërbimi në Repartin e N.SH. Vaqarr Tiranë i cili në gjendje të dehur plagosi shtetasin Murteza Lika.

 

Njoftimi:

Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka qenë e angazhuar maksimalisht për hetimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura në qytetin e Tiranës, si më poshtë vijon;

Më datë 24.05.2022, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. Z., me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal.

Arrestimi i punonjësit të policisë L. Z. u krye pasi më datë 23.05.2022, në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, ai ka qëlluar disa herë me armën e shërbimit pas një konflikti për motive të dobëta, punonjësin e policisë Ç. S., me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Grupi i posaçëm hetimor vijon kryerjen e veprimeve procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore të veprimeve të autorit të veprës penale, ndërsa materialet hetimore do dërgohen pranë Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime te mëtejshme.

*

Gjithashtu, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka referuar materialet proceduriale për arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë Inspektor L. GJ, 48 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në Repartin e N.SH. Vaqarr Tiranë

Arrestimi i tij u krye pasi më datë 23.05.2022, në Sallën e Komandimit është njoftuar për të shtëna me armë në një Bar Kafe në rrugën “Llazi Miho”. Pas mbërritjes në vendngjarje dhe veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasi L. GJ., ka qenë duke konsumuar pije alkoolike në një Bar Kafe dhe në gjendje të dehur, ka përdorur armën e tij të shërbimit duke qëlluar në drejtim të shtetasit M. L., në kohën që ishte i ulur në të njëjtën tavolinë me të.

Si pasojë, shtetasi M. L. ka marrë dëmtim në këmbën e majtë dhe është dërguar menjëherë në spitalin ushtarak, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Për sa më sipër, shtetasi L. GJ. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal.

Punonjësit e policisë të identifikuar si autorë të dyshuar të ngjarjeve të mësipërme, pas arrestimit të tyre në kushtet e flagrancës, aktualisht ndodhen në dhomat e sigurisë në DVP Tiranë.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *