Hetimet që synojnë të zbardhin tentativën e vrasjes së agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal kanë shkuar në një tjetër nivel dhe duket se po nxitin një përplasje mes Rusisë dhe Britanisë së Madhe. Një ditë më parë, ambasada ruse në Londër ngriti akuza që e lidhin vrasjen e ish agjentit me vdekjen e tre armiqve të Kremlinit.

 

Aleksandër Litvinenko ishte një ish-oficer i shërbimit të sigurisë ruse i cili u helmua me polonium në vitin 2006. Boris Berezovski ish kritik i Putin, u gjet i varur në vitin 2013dhe Alexander Perepilichny kishte ndihmuar një hetim zviceran për një skemë ruse të pastrimit të parave të lidhura me Kremlinin dhe ka spekulime se ai mund të jetë vrarë.

 

Deklarata  provokative erdhi pasi sekretarja e Brendshme britanike, Amber Rudd, kryesoi një takim të komitetit emergjent Cobra për të parë ecurinë e hetimit mbi sulmin ndaj Skripal dhe vajzës së tij Julia. Më shumë se 240 dëshmitarë janë marre ne pyetje. Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia u gjeten pa ndjenja të dielën e 4 marsit. Më shumë se 250 pjesëtarë të policisë dhe antiterrorizmit janë përfshirë në atë që Sekretarja e Brendshme e ka përshkruar si “hetim masiv”.

 

Rusia mohon të jetë e përfshirë në këtë rast, por Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson paralajmëroi pak ditë më parë se Britania e Madhe do të përgjigjej “në mënyrë të ashpër e të vendosur” nëse verifikohet që Moska fshihet pas kësaj.

 

Policia ka thënë se helmi ka qenë agjent nervor por nuk ka specifikuar llojin. Skripal 66 vjeçar dhe vajza e tij Yulia 33 vjeçe gjenden në spital ne gjendje serioze qëkurse janë gjetur pa ndjenja  jashtë qendrës tregtare në Salisbury.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *