Qyteti i Helsinkit nuk do të shërbejë më mish në takime, pritje dhe seminare të stafit, duke e zëvendësuar atë me ushqime vegjetariane dhe ushqim deti.

Qëllimi është të zvogëlohet gjurma e karbonit në kryeqytetin finlandez, tha për Associated Press Liisa Kivela , drejtoresha e komunikimit në kryeqytetin finlandez.

Masa e vendosur nga Këshilli Bashkiak do të hyjë në fuqi në janar dhe nuk ka të bëjë me kafenetë, shkollat dhe ambientet e punës.

Po ashtu përjashtime nga vendimi do të ketë edhe për “vizitat e nivelit të lartë dhe ngjarje të ngjashme” , të organizuara nga kryebashkiaku Juhana Vartiainen ose zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë.

Rregullat e reja, të dizajnuara për të reduktuar emetimet e gazeve serrë të lidhura me produktet, nuk kanë të bëjnë vetëm me mishin: kafeja, çaji, bananet dhe ushqimet e tjera duhet të vijnë nga prodhuesit e “tregtisë së drejtë”.

Përveç kësaj, qumështi i tërshërës do të zëvendësojë qumështin e lopës, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike nuk mund të shërbehen më në enë për një përdorim.

Qeveria vendore tha se masat janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë “për të reduktuar ndikimin klimatik të ushqimit dhe për të zvogëluar sasinë e burimeve natyrore të përdorura nga qyteti”. Disa deputetë nga Finlanda rurale, ku gjuetia ende praktikohet dhe kafshët e egra konsumohen si ushqim, u ankuan.

Sipas Institutit Finlandez të Burimeve Natyrore, konsumi i mishit në vend ka rënë për dy vite radhazi , ndërkohë që gjithnjë e më shumë njerëz zgjedhin të mos vendosin mish në tryezë, por ushqim me bazë bimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *