Subscribe

Të paktën 884 persona i janë drejtuar qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan të Kosovës me simptoma të helmimit. Dyshimi kryesor është që qytetarët janë helmuar nga uji.

 

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj deklaroi se nga të dhënat e para rezulton se uji kimikisht është i pijshëm, ndërsa rezultatet biokimike ende nuk kanë dalë. Por, fakti që vetëm këtë muaj ka patur raste helmimesh nga uji, ka shtuar  dyshimet për një skenar të qëllimshëm.

 

“Edhe pse është thënë që ujësjellësi rezultatet e para kanë dalë që kimikisht nuk është ndonjë telashe me ujin e pijes, është i përdorshëm, mirëpo po i presim edhe analizat mikrobiologjike, të cilat do na japin një rezultat të saktë. Është hera e dytë brenda një muaj dite që po raportohet e njëjta situatë, e që na bën të supozojmë që këto edhe mund të jenë të qëllimshme. Le të jetë në kompetencën e Prokurorisë së Shtetit të cilët tash po merren me këtë proces.”

 

Ndërkohë, Ramosaj paralajmëroi edhe masa ndëshkuese ndaj kompanisë së ujësjellësit nëse rezulton se helmimi ka ardhur nga uji.

 

“Masat që do të ndërmerren ndaj ujësjellësit janë masa ligjore, janë masa në kuadër të kompetencave ligjore që shteti ynë funksionon dhe po ashtu do të ketë edhe masa me kompetencë e që janë edhe të aspektit politik dhe administrativ, ku e ka një kohë të gjatë që është menduar e që kompania e cila merret me ujësjellësin të jetë kompani komunale, për shkak të funksionimit dhe të mirëmenaxhimit e të mirëfunksionimit.”

 

Kryebashkiaku iu bëri thirrje banorëve të 10 fshatrave që furnizohen nga i njëjti rrjet, që të mos e përdorin ujin deri në përfundim të analizave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *