Hebrenjtë përbëjnë një nga pakicat më të vogla në Rusi, por ndjenja e komunitetit me pjesën tjetër të popullsisë hebraike në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik është shumë e fortë. Ose ishte…

 

Sulmi rus në Ukrainë ka shkaktuar një thyerje emocionale dhe politike midis hebrenjve rusë dhe ukrainas.

 

“Në një nivel personal shoh një përkeqësim të marrëdhënieve midis hebrenjve rusë dhe ukrainas. Me fjalë të tjera, hebrenjtë ukrainas politikisht aktivë priren të fajësojnë hebrenjtë rusë se nuk protestojnë mjaftueshëm kundër pushtimit të Ukrainës”, thotë Boruch Gorin me Muzeun Hebraik dhe Qendrën e Tolerancës.

 

Ndër ata që protestuan ishte njeriu që për 30 vjet shërbeu si kryerabin i Moskës, Pinchas Goldschmidt. Ai kritikoi hapur aventurën ushtarake të Putinit dhe në fund iu desh të largohej nga vendi.

 

Zoti Goldschmidt, tani në Izrael, ka shprehur pesimizëm për të ardhmen, duke u thënë gazetarëve së fundmi se ka “shumë re të errëta në horizont” për hebrenjtë rusë.

 

Për disa, asgjë nuk garanton se antisemitizmi i parë gjatë epokës sovjetike nuk do të rikthehet.

 

“Nuk u mësua asgjë prej saj. Ajo që ndodhi, të themi, gjatë katastrofës së atyre viteve, mund të ndodhte në çdo vend, në çdo kohë. Nuk varet nëse e mbajmë mend atë periudhë apo jo”, thotë historiani Oleg Melamed.

 

Gjatë dekadës së fundit, komuniteti hebre në Rusi është shtuar ndjeshëm. Shumë familje që u larguan për në Izrael në vitet 1990 vendosën të kthehen. Kopshtet e fëmijëve si ky në periferi të Moskës dhe qendrat e tjera kulturore hebraike janë dëshmi e një popullsie në rritje.

 

Por duket se kjo prirje ka ndryshuar që nga sulimi i Rusisë në Ukrainë.

 

“Pas fillimit të operacionit special të Rusisë në Ukrainë, si faktorët ekonomikë, politikë dhe të gjithë faktorët e tjerë çuan në faktin që një numër i madh njerëzish ose u larguan ose filluan të mendojnë të largohen”, thotë Boruch Gorin me Qendrën e Tolerancës dhe Muzeun Hebraik.

 

Disa familje që kanë shtetësi izraelite ose që kanë të drejtë të aplikojnë për të, tani po vënë në pikëpyetje nëse Rusia është ende vendi më i mirë për fëmijët e tyre.

 

“Ne jemi të hapur për të gjitha idetë, por Rusia aktualisht ka ndryshuar në mënyrë drastike. Nuk e kam idenë se si do të ndryshojnë gjërat në të ardhmen në bazë të zhvillimeve aktuale. Para shkurtit, ishte mirë të jetoje në Rusi. Moska është ndër qytetet e zhvilluara mirë”.

 

Hebrenjtë që janë kundër operacionit ushtarak rus në Ukrainë nuk mund ta thonë hapur këtë në kamera. Ashtu si për rusët e tjerë, rreziku është i lartë. Por ata po e thonë atë me veprimet e tyre, duke e lënë vendin me mijëra në numër, që nga shkurti i kaluar./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *