Analisti Ermal Hasimja gjykon se konfliktualiteti në ditët e fundit të zgjedhjeve ka kontribuar në nismën e mazhorancës për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

 

Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Hasimja ka komentuar edhe zërat në selinë e PD-së për largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë, pas humbjes në zgjedhje.

 

“Në një situatë normale, demokratike, do të ishin të arsyeshme. Nuk ka shumë vend për diskutim, është më shumë moral politik, nuk kemi qenë në një situatë normale. Kanë dalë plot dëshmi të prekjes së zgjedhjeve, blerjes së votave, shantazhimit të njerëzve. Është pak e vështirë ta ndash nëse duhet kërkuar dorëheqja e Lulzim Bashës. Nga njëra anë, nuk fajësohet për këto marifete,  por  nga ana tjetër, vetë PD ka të drejtën që të kërkojë dikë që mund të ishte në gjendje të parandalojë edhe këto akte. Kjo është diçka e brendshme e PD-së.”

 

Sa i përket aksionit të opozitës për të siguruar prova për shkeljet që sipas saj do të mund të sjellin numërimin e një pjesë të votave, Hasimja shprehet se ky nuk është problem kryesor.

 

“Mund edhe të ndodh, por nuk besoj që ky ka qenë problem kryesor i zgjedhjeve në Shqipëri. Kuptohet që problemi kryesor ka qenë tjetër kund, kanë qenë 10 mijë vendet e punës që u hapën jo larg zgjedhjeve, shantazhimi përmes vendimit të punës, legalizmet e shpërndara. Të gjithë këto së bashku kanë sjellë probleme madhore. Numërimi, është më i lehtë për t’u analizuar.”

 

I pyetur se si e shikon të ardhmen e aksionit opozitar në kushtet ku duket se ka një ftohje mes demokratëve dhe LSI, analisti theksoi se ka ardhur koha që PD të kthehet në partinë më të madhe.

 

“Unë mendoj që PD duhet të kthehet në ambiciet e e veta në 1992, e një partie që synon të jetë partia e parë më e madhe në Shqipëri, jo të shpresojë që me ndihmën e LSI të përfaqësojë shumicën e shqiptarëve. LSI ka një tjetër natyrë, është klienteliste. Nuk mendoj që ata që janë gënjyer nga pushteti, do të shikonin aq shumë moralitet politik në bashkëpunimin me LSI. Mendoj që PD nuk arrin të përfaqësojë dot as atë kategori që e solli në pushtet.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *