Politologu Ermal Hasimja së bashku me disa përfaqësues të shoqërisë civile shpallën sot lëvizjen e tyre për të bashkuar të gjitha partitë opozitare.
Në një konferencë me gazetarët, Hasimja deklaroi se “Forumi i Dialogut Politik” do të takohet me çdo parti, pavarësisht nëse është e majtë apo e djathtë, duke nisur nga Partia Demokratike tek Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, duke synuar bashkimin e të gjithë faktorëve opozitarë në betejën kundër kryeministrit Edi Rama.
“U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike dhe organizatave të tjera opozitare të bëhen pjesë e këtij procesi, duke lënë mënjanë interesat e ngushta politike në shërbim të mundësimit të ndryshimit të qeverisjes në Shqipëri”, tha Ermal Hasimja.
Sipas Ermal Hasimjas, 3 janë qëllimet kryesore të kësaj lëvizjeje.
“Krijimin e trysnisë së nevojshme për zgjedhje të lira, të ndershme e të barabarta sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.
Fuqizimin e opozitës dhe bashkëpunimin për një front të përbashkët e të besueshëm opozitar, pa prekur identitetet dhe specifikat e secilës parti.
Mbështetjen e sistemit të drejtësisë në misionin e tij për goditjen e korrupsionit dhe narkotrafiqeve.”, shtoi ai.
Thirrjet për bashkimin e opozitës gjatë muajve të fundit nuk kanë qenë të pakta, por deri më tani ato kanë dështuar. I vetmi bashkëpunim mes forcave opozitare u arrit në tetor, ku të gjitha partitë parlamentare, me përjashtim të Arlind Qorit, vendosën të mbështesnin kandidaturën e Florjan Binajt në garën për Bashkinë e Tiranës./vizionplus.tv





