Ne një kohe që ndërkombëtarët kanë shtuar presionin kundër shfuqizimit të ligjit për Gjykatën Speciale, Presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi, thekson se nisma e deputetëve nuk është një kërkesë për të sfiduar gjykatën, por alternative. Gjatë një interviste për “Radio Evropa e Lirë” kreu I shtetit u shpreh se nuk i inkurajon ligjvënësit ne këtë nisme, por nëse Kuvendi e aprovon atëherë ai do ta nënshkruaje.
“Iniciativa e rreth 50 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të kuptohet si një alternativë dhe jo si një sfidim i drejtësisë, jo si injorim apo ikje nga drejtësia. Unë nuk i inkurajoj deputetët, por çdo vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës unë do ta kryej me obligim dhe do ta nënshkruaj. Nëse nuk e nënshkruaj, natyrisht se do të bëja shkelje kushtetuese. Kështu që, nuk e shkel Kushtetutën, pavarësisht deklarimeve të kujtdo qoftë.”
Thaçi foli edhe për çështjen e kufirit me Malin e Zi. Ai u bëri thirrje deputetëve ta kalojnë në mënyrë urgjente demarkacioni me qëllim evitimin e izolimit të mëtejshëm të Kosovës.
“Mendoj se ne duhet ta kalojmë Demarkacionin sa më shpejt, duhet ta themelojmë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe të lëvizim drejt liberalizimit të vizave. Nëse nuk kalon Demarkacioni, realisht Kosova do të mbetet e izoluar, padrejtësisht, megjithëse unë e kam vlerësuar se ka qenë kriter i panevojshëm dhe kurth nga Bashkimi Evropian për skenën politike”
Sa i takon dialogut Kosovë-Serbi presidenti Thaçi thotë se është i gatshëm të përfaqësojë Prishtinën edhe në fazën finale, e beson se bisedimet do të përmbyllen me një marrëveshje përfundimtare me njohjen reciproke mes dy vendeve.




