Presidenti I Kosovës Hashim Thaci doli para mediave për të hedhur më shumë dritë mbi diskutimet e fundit mbi mundësine për korigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, teksa ai një ditë më parë kishte deklaruar se do të kërkohet ne bisedimet që po mbahen mes dy vendeve edhe përfshirja e komunave jugore të Serbisë, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në kuadër të territorit të Kosovës.

 

Sipas Thacit, korrigjimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta ketë mbështetjen ndërkombëtare, nëse arrihet që kjo çështje të përfshihet në marrëveshjen për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, në kuadër të dialogut të Brukselit

 

Ndërkaq Kosova, sipas tij,nuk e ka opsion ne asnjë pjese të saj për t’iu bashkuar Serbisë. Ai tha se është momenti që Prishtina zyrtare ta mbështesë kërkesën e shqiptarëve të komunave, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, për t’iu bashkuar Kosovës.

 

“Institucionet tona nuk guxojnë t’i mbyllin sytë dhe ta injorojnë një mundësi të tillë historike dhe të papërsëritshme. Duhet të bashkohemi dhe t’i themi po kësaj kërkese krejt racionale, të drejtë dhe historike e cila ka mundësi të realizohet krejtësisht në mënyrë paqësore”.

 

Presidenti Thaçi tha se shumë vende në botë kanë korrigjuar kufijtë e tyre përmes bisedimeve pa pasur nevojë që të ngriten tensione apo konflikte.

 

Por, njëkohësisht, Thaçi është shprehur mjaft skeptik nëse Beogradi do ta pranonte kërkesën e tij eventuale në tavolinën e bisedimeve, që komunat me banorë shqiptarë në Serbi, si Presheva Bujanoci dhe Medvegja, t’i bashkohen Kosovës.

 

“Mundësitë janë krejt të vogla. Ka pak gjasa që Serbia të pajtohet apo aktualisht ka një refuzim kategorik. Mirëpo, unë jam zotuar se kërkesën legjitime dhe historike të qytetarëve të Preshevës, Medvegjes e Bujanocit ta prezantoj në tavolinën e dialogut”.

 

“Mund ta imagjinojë reagimin e Beogradit, do të jetë një reagim kryeneç, i rëndë dhe kategorik refuzues”, theksoi presidenti i Kosovës.

 

Thaçi u ka dërguar mesazhe edhe opozitës dhe spektrit të gjerë politik në Kosovë që t’i bashkohet idesë së tij për korigjim të kufirit me Serbinë. Sipas tij, ky është moment historik që kërkon gjithëpërfshirje.

 

“Unë jam i sigurt se përgjatë këtyre përpjekjeve të përbashkëta politike në kuadër të dialogut paqësor, do të bashkëngjiten edhe ata që sot hapur më kritikojnë edhe mua, edhe kauzën time për korrigjimin e kufirit me Serbinë që në mënyrë paqësore t’u mundësohet shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc realizimi i vullnetit të tyre politik, që fundja nënkupton realizimin e ëndrrës dhe përpjekjeve të tyre shekullore”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *