Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, u bë pjesë e takimit të Ministrave të Jashtëm në formatin: “Ukrainë – Evropa Juglindore” në Kiev, ku është takuar me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky. Në një postim në platformën X, Hasani shkruan se takimet ishin produktive dhe përfaqësojnë progres në mardhënien dypalëshe.
“Shkëmbyem instrumentet e ratifikimit të Marrëveshjes së Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë dhe nënshkruam një Memorandum Mirëkuptimi, të fokusuar në bashkëpunimin në integrimin evropian. Këta hapa përfaqësojnë progres të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis vendeve tona dhe riafirmojnë angazhimin tonë për një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm.Shqipëria qëndron me vendosmëri me Ukrainën në rrugën e saj drejt paqes, sigurisë dhe të ardhmes evropiane”, tha ministri.
Në këtë takim të përbashkët me Minsitrat e Evropës Juglindore, ku u dënua hapur agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë dhe u dha mbështetje e plotë për sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainë brenda kufijve të njohura ndërkombëtarisht Shqipëria, theksoi angazhimin e saj për paqe, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajon.
Në kuadrin e kësaj vizite pune, Ministri Hasani bisedoi me përfaqësuesit më të lartë të politikës në vend, ndërsa takimi shërben si platformë për diskutime të thelluara mbi zhvillimet aktuale në rajon, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetjes reciproke në një periudhë sfiduese për Ukrainën./vizionplus.tv