Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pavarësisht kritikave nga përfaqësuesit NATO-s, ka ritheksuar se FSK-ja do të transformohet në ushtri dhe kjo do të ndodhë me 14 dhjetor.

 

Haradinaj shprehet pa asnjë rezervë duke ritheksuar se tri projektligjet nuk do të hasin në pengesë në seancën e Kuvendit. Këto komente, Haradinaj i bëri pas një vizite që kishte bërë në Koorporatën Energjetike të Kosovës.

 

“NATO është organizatë e disa vendeve të sigurisë dhe mendimi i një anëtari të NATO-s nuk kthehet në vendim, në fakt vendimet merren vetëm kur të gjithë janë dakord, kështu që ne nuk na pengon puna me NATO-n. Nëse kjo është një kërkesë dhe nuk aprovohet nga të tjerët kjo nuk ndryshon asgjë. Njëkohësisht, qëndrimi i SHBA-ve është për më shumë stabilitet në Kosovë dhe në rajon. Ka qenë në vazhdimësi ky qëndrim këtë e ka shpreh edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, pra është në linjë me deklarimet e mëhershme të zyrtarëve të Departamentit të SHBA-së ku edhe në Beograd kanë thënë që Kosova do të ketë ushtrinë”.

 

Ndërkohë ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e paralajmëroi Prishtinën zyrtare se do të “përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”.

 

Sipas Stoltenbergut, ky proces po udhëhiqet “në një moment mjaft të papërshtatshëm, pa u respektuar procedurat”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *