Subscribe

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar Ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe kreun e Agjencisë Kosovare për Inteligjencën, Driton Gashi. Ky vendim vjen në përgjigje të arrestimit të 6 shtetasve turq të cilët u deportuan në mënyrë të fshehtë dhe joligjore drejt Turqisë. Haradinaj ka sqaruar se aksioni është kryer si një bashkëpunim mes dy agjencive të inteligjencës, asaj turke dhe kosovare dhe se askush nuk kishte informacion për kryerjen e tij.

 

Në shkresën zyrtare ku ka firmosur lirimin e menjëhershëm nga përgjegjësia të dy zyrtarëve, Haradinaj i konsideron veprimet e djeshme tërësisht të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat e parimet e popullit kosovar.

 

Në seancën e sotme të kuvendit, kryetari i parlamentit, Kadri Veseli ka thënë se fajtorë janë të gjithë dhe se vala e shkarkimeve nuk duhet të përfundojë me kaq.

 

“Kosova është shtet i pavarur, nuk mund te nëpërkëmbet ne ketë mënyre, nuk mbrojmë dot sigurinë dhe te drejtat e shtetasve tanë, ndihem i turpëruar, nuk kemi patur informacion. I kërkoj falje familjeve.”

 

Më herët, presidenti turk Erdogan është zotuar sërish se do ti ndjekë gylenistët kudo që të jenë dhe do t’i kthejë në shtetin turk për t’u kërkuar llogari.

 

6 shtetasit turq, janë punonjës të Institucionit Arsimor “Gylistan”. Ata u arrestuan me pretendimin se nuk kanë leje të vlefshme qëndrimi, një supozim ky i hedhur poshtë nga autoritetet. Arrestimi dhe deportimi i tyre është kryer tërësisht në kushte të paqarta. Familjarët e tyre dhe nxënësit e shkollave kanë protestuar, ata kërkojnë informacion, pasi nuk dinë asgjë se ku janë dërguar të arrestuarit.

 

Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë persona nën akuzat për grushtin e shtetit dy vite më parë, ku 250 persona humbën jetën, ndërsa 2 mijë të tjerë mbetën të plagosur.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *