Haradinaj i përgjigjet Erdoganit: Turqia të mos përzihet në punët e brendshme të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur sulmit të presidentit turk, Recep Tayip Erdogan për qëndrimin e tij ndaj operacionit të deportimit të gjashtë shtetasve turq të kërkuar nga Ankaraja. Haradinaj, i bëri të qartë presidentit turk, edhe pse pa e përmendur në emër, se nuk i njeh mirë shqiptarët përderisa ngatërrohet me punët e tyre.
“Për ata që prej larg na gjykojnë, e para që mund t’u them se nuk na njohin, ju mungon njohja për shqiptarët, në trojet e tyre, në atdheun e tyre. Bëjnë mirë me na njoftë, se kurrë nuk është në traditën tonë me hi në punët e shtëpisë të dikujt tjetër. Kosova dhe unë s’kemi hyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen, por po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do të mund t’i bëjë dikush në emrin tonë në Kosovë. Këtë le ta dinë të gjithë”.
Ndaj sulmeve të presidentit turk kishte reaguar vetëm kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli i cili është shprehur i befasuar me deklarimet e tij dhe ka nënvizuar se Kosova nuk u nënshtrohet trysnive nga jashtë. Ndërkohë, partitë opozitare në Parlamentin e Kosovës janë vënë në përpjekje për organizimin e një seance të jashtëzakonshme lidhur me këtë operacion. Opozita do të kërkojë ngritjen e një Komisioni hetimor parlamentar, për të identifikuar siç thonë ata, shkelësit e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.




