Qeveria e Kosovës është mobilizuar për kthimin e të gjithë shtetasve shqiptarë që u strehuan në komunat e saj pas tërmetit të 26 nëntorit .

 

Në një postim në Facebook, kryeministri në largim Ramush Haradinaj u ka bërë thirrje të gjithë komunave që kanë strehuar qytetarë shqiptarë që të organizojnë transportin për rikthimin e të zhvendosurve.

 

Haradinaj njofton gjithashtu se të hënën do të dërgojë në mënyrë institucionale të gjitha ndihmat e grumbulluara nga qytetarët e Kosovës në Kazermën e FSK në Prizren.

 

“Kosova ka hapur dyert dhe zemrat, për t’i strehuar dhe ndihmuar gjithë bashkëkombësit tanë, pas tërmetit me pasoja tragjike që preku Shqipërinë. Tani pas kësaj faze emergjente të përkrahjes dhe akomodimit, ne po hyjmë në një fazë tjetër, të rikthimit të të gjithë banorëve të Shqipërisë në vendlindjen e tyre. Përkitazi me këtë proces, ne kemi vënë në dispozicion transport për rikthimin e të zhvendosurve, por sot kërkojmë që në këtë etapë të rikthimit vullnetarë të përfshihen edhe të gjitha Komunat, ku ka të strehuar, duke vënë në dispozicion mekanizmat e tyre, numër kontakti, Drejtorit e emergjencave dhe transportin. Secili qytetarë, meriton një kthim të dinjitetshëm dhe Institucionet tona e kanë për obligim, ta garantojnë dhe të respektojnë këtë të drejtë. Zyra e Kryeministrit, do të jetë në gjendje gatishmërie për çdo kërkesë eventuale të ndihmës, qoftë për Komunat tona, qoftë për autoritetet shqiptare. Po nesër, të gjitha ndihmat e grumbulluara nga qytetarët tanë në Kazermën e FSK-së në Prizren, do të dërgohen nga Ushtria jonë, në mënyrë institucionale, në depot e rezervave shtetërore të Shqipërisë. Kosova do të vazhdojë të jetë në gjendje gatishmërie, për çdo ndihmë të kërkuar, për popullin e Shqipërisë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *