Subscribe

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pranon se arrestimi dhe ekstradimi i 6 shtetasve turq pak ditë më parë, është i paqartë dhe është një lloj vjedhje e njerëzve nga Kosova, ndërsa thekson se asnjë shtet tjetër nuk mund të marrë vendime për punët e brendshme të Kosovës.

 

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, lidhur me reagimin e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, Haradinaj shprehet se nuk i kupton dot reagimet e tij, pasi Kosova, nuk ndërhyn në punët e brendshme të Turqisë.

 

“Ndalimi i gjashtë shtetasve turq në Kosovë dhe deportimi i tyre ka paqartësi, pra te mënyra e revokimit të lejes së qëndrimit, është procedurë shumë e shpejt dhe deportim i fshehtë dhe bazuar në këtë dhe për faktin që nuk kam qenë i informuar. Reagimet e presidentit (Erdogan) nuk i kuptoj, ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të Turqisë, këto janë punë të brendshme tona edhe askush nuk do të ketë vendimmarrje në punët e brendshme të Kosovës.”

 

I pyetur se sa do të ndikojë kjo në marrëdhëniet mes dy vendeve, Haradinaj shprehet se Kosova është shtet i pavarur.

 

“Gjithkush duhet të dijë kufijtë e vet. Kosova është shtet i pavarur dhe duhet të respektojë zhvillimet e brendshme institucionale, kushtetutën e vendit tonë.”

 

Gjatë intervistës Haradinaj thekson se Kosova ka vënë para përgjegjësisë personat përgjegjës për arrestimet, dhe se tashmë ka nisur një hetim të përgjithshëm.

 

Nga ana tjetër, grupi Parlamentar i LDK-së në bashkëpunim me atë të Vetëvendosjes, kanë dërguar kërkesën për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend për “shkeljen e Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës lidhur me deportimin e shtetasve turq në fund të muajit mars”.

 

6 të arrestuarit ishin punonjës të Institucionit Arsimor “Gylistan”, në pronësi të Fet’hullah Gulen, rivalit politik të presidentit turk Erdogan, që ky i fundit, e fajëson për përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit rreth dy vite më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *