Sekretari për mediat në PS, Alfred Peza i konsideron propozimet e opozitës jashtëparlamentare për hapje plotësisht të listave dhe ruajtje koalicionesh parazgjedhore, një mënyrë opozitare për të bllokuar procesin për qëllime politike.

I ftuar në studion e edicionit të lajmeve në “Vizion Plus”, Peza tha se palët politike duhet të bashkëpunojnë në lidhje me hapat e mëtejshëm në një proces sa më të mirë zgjedhor.

“Të gjithë aktorët dhe faktorët duhen dëgjuar dhe gjykuar. Ky proces nuk ka filluar sot. Është iniciuar që në shtatorin e vitit 2017. Kërkimi i gjilpërës në kashtë është një mënyrë opozitare për të bllokuar procesin; për të gjetur sebepe për të arritur qëllimet e tyre politike. Do të dështojnë në këto tentativa që nuk mbajnë erë, duken si sebepe për të mbyllur me çdo kusht ndërmarrjen dhe votimin e asaj marrëveshjeje mes mazhorancës dhe opozitës në Parlament.”

I pyetur nëse mazhoranca do të tërhiqet nëse nuk do të arrihet kompromis në Këshillin Politik, ai u shpreh se PS nuk do të pranojë bllokime të njëanshme të “opozitës së rrugës”.

“Ka një qasje që pasqyron raportin me mazhorancë dhe opozitës. Ka një keqkuptim të madh të opozitës së rrugës në këtë raport. Palët duhet të konvergojnë në lidhje me hapat e mëtejshëm në një proces sa më të mirë zgjedhor.  Çdo çështje do të diskutohet në Këshillin Politik, do të merret patjetër mendimi. Në asnjë hap, mazhoranca nuk ka qenë arbitrare në vendimmarrjen e saj, “edhe pse mund ta bënte”. PS do t’i mbetet e hapur çdo lloj diskutimi dhe debate me opozitën e rrugës, por nuk do të pranojë diktate dhe bllokime të njëanshme të procesit për arsye politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *