Në përpjekje për të qenë më pranë Bashkimit Europian, Shqipëria ka nënshkruar sot një marrëveshje të rëndësishme partneriteti për siguri dhe mbrojtje me BE-në.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas tha se tanimë Shqipëria do të jetë pjesë e pandashme e takimeve për sigurinë në Europë.
I pranishëm në takim, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë moment thelbësor për mbështetjen që i tregohet vendit tonë .
Një ditë më parë, Shqipëria hapi 2 kapitujt e radhës me Bashkimin Europian, që përfshijnë marrëdhëniet me jashtë, politikën e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes.
Për të diskutuar më shumë rreth marrëveshjes me BE-në, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me moderatorin Aleksandër Furxhi ishte drejtuesi i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali.
Ky i fundit tha se kjo marrëveshje është në vijimësi të lidhjes së Shqipërisë me BE-në, me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë.
Z.Gjipali theksoi se pas luftës në Ukrainë, çështja e mbrojtjes ka zënë një vend të rëndësishëm.
Intervista e plotë:
Cila është rëndësia e kësaj marrëveshjeje?
Gjipali: Është e rëndësishme sepse është në vijimësi të lidhjes së Shqipërisë me BE-në, me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë, ku si pasojë e luftës në Ukrainë, çështja e mbrojtjes ka zënë një vend të rëndësishëm. Në këtë kuadër, kjo marrëveshje përfshin dhe vetë Shqipërinë në masat që merren për mbrojtjen dhe për të sfiduar çdo kërcënim që i vjen nga jashtë rajonit dhe Evropës.
Shqipëria dje arriti të hapte në Bruksel edhe dy kapituj të tjerë. Në dy muaj është bërë më shumë se në 15 vite, ka thënë ministri i Jashtëm hungarez. Si shpjegohet kjo?
Gjipali: Edhe Presidenca Hungareze përfiton nga ky sukses. Shqipëria ka qenë vendi që ka bërë hapa përpara, duke hapur dy grupe kapitujsh. Po ashtu, Mali i Zi ka mbyllur tre kapituj, ndërkohë që vendet e tjera janë me problematika të ndryshme. Në këtë mënyrë, edhe Presidenca Hungareze përfiton nga ky sukses.
Me mbërritjen e Trump së shpejti në Shtëpinë e Bardhë, për Ballkanin po thuhet se në Washington do ta lënë në dorë BE-së. A mund të na japësh një opinion?
Gjipali: Mund të ndodhë. Ka ndodhur dhe më parë. Në nivel afatgjatë, edhe SHBA kanë qenë të investuara dhe janë rikthyer pas mungesave sepse Evropa ka qenë e pafuqishme për sfidat e rajonit dhe më gjerë. Nuk mendoj se është momenti që Evropa të zëvendësojë SHBA-në për dobësitë që po shfaq brenda saj apo për mungesën e lidershipit. /vizionplus.tv





