Subscribe

Merr fund tregtimi e therja e kafshëve pa kontroll dhe jashtë kushteve veterinare. Tashmë Tirana ka thertoren e parë publike në zonën e Vaqarrit, e cila pritet të disiplinojë situatën me konsumin e mishit. Për kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj, ka ardhur koha që të mendohet seriozisht për sigurinë ushqimore.

 

“Kjo punë nuk ka të bëjë me sigurinë ushqimore, por me sigurinë kombëtare. Ka ardhur koha t’i mendojmë seriozisht këto, ta marrim seriozisht jetën, që nga mënyra se si kalojmë rrugën, deri te ushqimi që fusim në stomak. Kjo thertore vendos një standard. Ashtu si në shumë fusha ku kemi futur një operator publik, qoftë për pastrimin, edhe në nisma të tjera ku publiku po bën një punë më të mirë se privati, ashtu do fillojë edhe në industrinë e konsumit dhe përpunimit të mishit. Po fusim një operator publik, së pari për të ulur çmimet në treg, duke qenë se kemi çmime shumë më konkurruese se sa privati; së dyti, për të rritur cilësinë dhe për t’u thënë të gjithëve standardi ynë është ky”.

 

Veliaj u kërkoi operatorëve privatë që të krijojnë të njëjtat standarde dhe kushte në thertoret e tyre.

 

“Kemi një shërbim me cilësi më të lartë dhe çmim më të ulët. Edhe për fermerët në këtë zonë, por besoj që për gjithë Tiranën, sot bashkia ofron një shërbim publik shumë herë më të sigurt dhe shumë herë më të lirë se shërbimi privat. Ndaj dua të bëj një ftesë publike për të gjithë ata që janë në këtë lloj biznesi, të përdorin thertoren publike të bashkisë dhe të gjithë ata që janë në sektorin privat, t’u kërkoj siç u kërkojmë edhe operatorëve të tjerë në fusha të tjera, të mbajnë standardin e bashkisë. Publikja e ka fuqinë, jo publikja që trashëguam, ku ishte degjeneruar çdo aset publik, por publikja e administruar mirë, e ka fuqinë të ngrejë stekën shumë lart edhe për privatin”.

 

Kryebashkiaku kërkoi qe qytetarët të bashkëpunojnë duke kërkuar certifikatën e mishit. Tirana ka afro 300 subjekte qe ushtrojnë aktivitetin ne fushën e tregtimit te mishit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *