Një tjetër segment i rëndësishëm i Korridorit VIII është hapur për qarkullim këtë të premte, në kuadër të projektit për zgjerimin e aksit rrugor Elbasan–Qafë Thanë.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili njoftoi se segmenti i ri shtrihet nga dalja e fshatit Labinot-Fushë deri 500 metra pas fshatit Mirakë, me një gjatësi prej 7.5 kilometrash dhe me dy korsi vajtje-ardhje.
Sipas Karakaçit, investimi është një tjetër hap në modernizimin e një prej akseve më të rëndësishme rrugore të vendit. Ai theksoi se hapja e këtij segmenti do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin, do të rrisë sigurinë rrugore, do të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe do të lehtësojë transportin e qytetarëve dhe të mallrave.
Për zhvillimin ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili, përmes një postimi në rrjetet sociale, vlerësoi ecurinë e punimeve dhe hapjen e segmentit të ri.
“Ndërkohë që punimet vijojnë, është hapur për qarkullim një tjetër segment i Korridorit VIII. Nga dalja e fshatit Labinot-Fushë deri pas fshatit Mirakë, tashmë është i aksesueshëm segmenti i ri rrugor me dy korsi vajtje-ardhje. Hapja e këtij segmenti përmirëson qarkullimin, rrit sigurinë rrugore, shkurton kohën e udhëtimit dhe lehtëson transportin e qytetarëve dhe të mallrave”, shkroi Rama.
/vizionplus.tv





