Hapet hamami turk në Durrës, shtohen atraksionet turistike në qytetin bregdetar
Durrësi ka tashmë një atraksion të ri turistik. Hamami turk, monument kulture i kategorisë së parë, i cili ka rihapur dyert për vizitorët vendas dhe të huaj, pas një restaurimi të plotë me fond prej 32 milionë lekësh nga programi EU4Culture i BE-së.
Godina e shekullit XVIII është një nga dhjetë hamamet e mbijetuar në Shqipëri dhe hapet për herë të parë për publikun.
Gjatë tërmetit të vitit 2019, Hamami pësoi dëmtime serioze dhe u përfshi në listën e monumenteve që do të restauroheshin me fondet e BE-së. I dëmtuar nga i njëjti tërmet mbeti edhe Muzeu Arkeologjik Kombëtar i Durrësit, ku prej tre vitesh vazhdojnë punimet për restaurimin.
Muzeu pritet të rihapet për vizitorët në vjeshtën e këtij viti.
Hamami ndodhet në krah të bulevardit “Epidamn”. I vendosur vetëm disa qindra metra larg paraardhësit të tij antik, banjave romake, hamami funksionoi për herë të parë deri në fund të shekullit XIX.
Në fillim të viteve 2000, ai pësoi disa ndryshime për t’u kthyer në një kafene, e cila funksionoi për disa vite.
/vizionplus.tv




