Në Vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër është hapur ekspozita “Postriba ’46”, e përgatitur nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, në kuadër të përkujtimit të Kryengritjes së Postribës, më 9 shtator 1946.
Ekspozita, e cila përkon me 80-vjetorin e kësaj ngjarjeje, sjell fakte dhe dëshmi të reja mbi zhvillimin e kryengritjes, si dhe represionin e ushtruar nga forcat e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit ndaj pjesëmarrësve dhe mbështetësve të saj.
Përmes dokumenteve arkivore, materialet e ekspozuara hedhin dritë mbi historikun dhe ecurinë e ngjarjes, por edhe mbi masat represive të ndërmarra nga organet e regjimit komunist ndaj kundërshtarëve politikë.
“Postriba ka qenë në vemendje të institutit që në fillimet e tij dhe puna kërkimore ka filluar që në vitin 2012 me dokumentet e opara të divizionit të mbrojtjes së popullit që ka vepruar konkretisht në 1946 në Shkodër”, tha Pjerin Mirdita, përgjegjës i muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”.
Shtypja e kryengritjes u shoqërua me një ndërhyrje të dhunshme ushtarake. Dhjetëra pjesëmarrës dhe mbështetës të lëvizjes u pushkatuan ose u arrestuan, ndërsa shtëpitë e shumë prej tyre u dogjën. Pas arrestimeve, kryengritësit dhe personat e konsideruar si mbështetës të tyre iu nënshtruan proceseve të gjata gjyqësore, të cilat u shoqëruan me masa të rënda ndëshkuese.
“Dokemntet janë të natyrave të ndryshme, raporte lista, radiograme, edhe lista e shtepive te djegura dhe nje pjese e tyre janë të proceseve gjyqësore që janë mbajt atëhere”, tha Florin Zyberaj, kurator i ekspozitës
Ekspozita “Postriba ’46” synon të ruajë dhe të përcjellë kujtesën historike mbi një nga ngjarjet e rëndësishme të përplasjes së hershme me regjimin komunist në Shqipëri.





