Kjo e hënë shënon rikthimin drejt normalitetit për shumë shtete të tjera në Europë.  Pas 55 ditësh në bllokim, Franca ka vendosur të heqë kufizimet. Qytetarët nuk janë më të detyruar të marrin leje udhëtimi brenda 100 kilometrave.

Një pjesë e nxënësve u rikthyen në bankat e shkollës, ndonëse duke respektuar distancimin social. E njëjta panoramë duket edhe në dyqanet e rrobave, në librari dhe  parukeri.

Megjithatë  Franca ka vendosur të mbajë të mbyllura deri në një njoftim të dytë restorantet, baret dhe kinematë. E njëjta hapje graduale po bëhet edhe në Belgjikë.  Ndërsa në Holandë u rihapën një pjesë e shkollave fillore. Republika Çeke ka hapur restorantet dhe baret në natyre.

Zvicra ka vendosur hapjen e shkollave fillore dhe atyre të mesme, megjithatë klasat do të kenë një numër më të ulët të nxënësve.

Spanja gjithashtu nga sot ka lejuar hapjen e bareve dhe restoranteve si dhe grumbullimet deri në 10 persona vetëm në zonat e gjelbra. Po ashtu Spanja ka vendosur hapjen e kishave, muzeve dhe teatrove vetëm me një numër të kufizuar vizitorësh. Kryeministri Pedro Sanchez beri thirrje spanjollëve të respektojnë masat e distancimit social, rreziku për një valë të dytë të virusit është i madh.

Në Danimarkë, qendrat tregtare  kane rifilluar aktivitetin, ndërsa Polonia ka vendosur edhe hapjen e hoteleve gjatë javës. Vendet tjera europiane si Gjermania, Austria dhe Italia tashmë kanë  lehtësuar kufizimet.

Ndryshe paraqitet situata në Mbretërinë e Bashkuar. Kryeministri Boris Johnson tha se nuk do të ketë dalje të menjëhershme nga izolimi. Qytetarët do të udhëtojnë me transportin publik për të shkuar në punë, por duke respektuar udhëzimet e distancimit . Të mërkurën Britania e Madhe do të lejojë qytetarët të kthehen në parqe për herë të parë që nga 23 marsi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *