Subscribe

Ata që kanë një ide inovatore për të zhvilluar një start up mund të aplikojë për të përfituar nga grantet prej 300 milionë lekësh të vëna në dispozicion nga qeveria. Fushata e aplikimeve do të zgjasë 30 ditë, ndërsa mbështetja me fonde do të jetë e ndarë për 3 kategori.

“Së pari, do të mbështesim idetë, të cilat kryesisht presim të vijnë nga studentët, të rinjtë, që kanë menduar të zhvillojnë një biznes, por ende nuk kanë një kompani të regjistruar. Këto ide do të mbështeten deri në vlerën e 1.5 milionë lekëve. Në kategorinë e dytë do të mbështesim ato sipërmarrje, të cilat janë aktive dhe përmes financimit nga grantet e Qeverisë duan ta zhvillojnë dhe komercializojnë atë. Për këtë kategori mbështetja do të jetë 4.5 milionë lekë. Do të kemi edhe një kategori të tretë, me anë të së cilës synojmë të tërheqim sipërmarrjet që i kanë të zhvilluara prototipet, por kanë nevojë për financim për të rritur linjën e prodhimit dhe ndërkombëtarizuar prototipin e tyre. Kjo kategori do të mbështetet deri në 9 milionë lekë”,  tha Delina Ibrahimaj, ministre e Shtetit për Sipërmarrjen.

Përmes këtij programi, qeveria synon mbështetjen financiare të 75 start up-eve.

ARIAN YMERI – DREJTOR I AGJENCISE STARTUP ALBANIA

“Ne do të konsultohemi çdo ditë fizikisht dhe virtualisht, ndaj kemi përgatitur një program shumë ambicioz për të dalë edhe jashtë Tiranës, në universitete, për të komunikuar dhe shpjeguar sa më shumë, në mënyrë që aplikimet tuaja të jenë sa më cilësore. Duam që ky fond të shpenzohet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe procesi të jetë sa më transparent”,  u shpreh Arian Ymeri, drejtor i agjencisë “Startup Albania”

Të gjitha aplikimet do të kryhen përmes portalit “e-Albania” ku të interesuarit duhet të ngarkojnë formularin e aplikimit të plotësuar, formatin e buxhetit të plotësuar dhe prezantimin në formatin e ofruar. Gjithashtu, aplikantët duhet të kalojnë procesin administrativ të kualifikimit, fazë kur verifikohet pasaporta e start up-it, që duhet të jetë jo më e vjetër se dy vjet në momentin e aplikimit. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *