Zyrat Vendore Arsimore në vend kanë shpallur afatet e reja të regjistrimeve për praktikë profesionale të mësuesisë për vitin shkollor 2025-2026, një proces ky që konsiderohet i rëndësishëm për të gjithë kandidatët që kanë përfunduar studimet Bachelor dhe Master në fushën e mësuesisë.
Njoftimi, i cili vjen pas urdhrit të ministrisë së Arsimit për praktikë profesionale që prej vitit 2022, e thekson këtë hap si një fazë e domosdoshme për profesionin, që në fakt po zgjidhet çdo ditë e më pak nga të rinjtë e vendit.
Kjo praktikë zhvillohet sipas institucioneve të përcaktuara dhe nën mbikëqyrjen e mentorëve, me qëllim rritjen e cilësisë në mësimdhënie.
Kjo fazë është e rëndësishme, pasi mban një peshë të drejtpërdrejtë në aftësim dhe përgatitje reale për punën në klasë.
Afati për të gjithë aplikuesit, në këtë fazë, është deri më 12 dhjetor.
Të gjitha aplikimet do të kryhen online në e-Albania, ku kandidati duhet të ngarkojë dokumentet e nevojshme të skanuara nga origjinali.
Megjithatë, kandidati duhet të ketë kujdes! Aplikimi duhet të bëhet i plotë, të gjithë dokumentet duhet të ngarkohen në sistem, pasi në të kundërt aplikimi nuk merret në shqyrtim.
Praktika profesionale mbetet një nga hapat më të rëndësishëm për futjen e mësuesve të rinj në sistem.





