Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hapi 28 qendra shëndetësore verore, që do të ofrojnë shërbim shëndetësor 24 orën në 7 ditë të javës pranë zonave turistike.

 

Ministrja Manastirliu inspektoi qendrën shëndetësore verore në plazhin e Divjakës, e cila është një prej 28 qendrave që do të ofrojnë shërbim pa ndërprerje gjatë sezonit turistik.

 

“Hapëm këtë vit 28 qendra shëndetësore pranë zonave turistike, për të garantuar shërbim shëndetësor 24 orë, për një sezon turistik të sigurtë për të gjithë pushuesit. Për herë të parë këtë vit kemi shtuar si qendra 24 orëshe qendrën shëndetësore të Dhërmiut fshat si dhe qendrën shëndetësore Rrjoll, në zonën e Velipojës”, tha Manastirliu.

 

Qendrat shëndetësore verore të hapura  janë pajisur me barnat dhe materialet mjekësore bazë për rastet e urgjencave mjekësore.

 

“Janë 132 mjekë dhe infermierë të trajnuar për çdo emergjencë, të cilët do të ofrojnë shërbim të specializuar në 28 qendrat verore, të cilat janë pajisur me të gjithë barnat dhe materialet mjekësore të nevojshme për të mbuluar sëmundshmërinë e stinës së verës dhe urgjencën mjekësore”, tha Manastirliu.

 

Ministrja deklaroi se i gjithë shërbimi do të koordinohet nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore.

Qendrat shëndetësore 24 orëshe pranë zonave turistike do të jenë të hapura deri më 15 Shtator. Gjatë vitit të kaluar, rreth 50 mijë pushues morën shërbim në qendrat shëndetësore verore, gjatë sezonit turistik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *