Lewis Hamilton vijon të ruajë me qetësi kryesimin në klasifikimin e përgjithshëm të ‘Formula 1’, me britanikun që kërkon të menaxhojë me kujdes avantazhin që ka ndaj ndjekësve. Megjithatë, dueli i ashpër me Charles Leclerc në Monza duket se nuk ka lënë një shije shumë të mirë tek kampioni i botës në fuqi, i cili është i gatshëm të ndryshojë mënyrën e pilotimit. Sipas tij, por edhe shumë pilotëve të tjerë, drejtuesit e garave kanë vendosur disa ‘standarte të reja’ sa i përket ashpërsimit të dueleve në pistë, me dëshirën për të lejuar më shumë spektakël. Kjo gjë duket se do të ndryshojë tani e tutje edhe qasjen e Hamilton në garat e ardhshme, ku britaniku thotë se do të jetë më agresiv në duelet me kundërshtarët.

Në Monza, Leclerc mori vetëm një paralajmërim për shtytjet që i dha Hamilton, por edhe për ndryshimin e trajektores më shumë se 2 herë, diçka që piloti i Mercedes e cilësoi si mjaft të rrezikshme. Kampioni i botës shtoi se nuk ka asnjë problem me Leclerc dhe se për të çdo gjë është në rregull edhe pas duelit që patën në ‘Çmimin e Madh’ të Italisë, në përfundim të së cilës, britaniku e përgëzoi pilotin e Ferrarit për suksesin. Leclerc duket se ka mësuar nga duelet në Austri me Verstappen, me këtë të fundit që nuk i kurseu asgjë pilotit monegask. Hamilton nga ana tjetër u shpreh se duhet të jetë gjithmonë i kujdesshëm në pistë, pasi ndryshe nga Verstappen, ai duhet të mendojë edhe për luftën për titullin kampion./ TRING

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *