Pas fillimit të armëpushimit në luftimet ndërmjet Hamasit terrorist dhe Izraelit, militantët islamikë Hamas i dorëzuan Kryqit të Kuq grupin e parë të pengjeve izraelite në Rripin e Gazës. Ata gjenden tani në territorin izraelit ku po marrin trajtim dhe po ekzaminohen nga mjekët. Këtë lajm e njoftuan përmes një deklarate të përbashkët ushtria izraelite dhe Shërbimi Sekret i Brendshëm, Shin Bet.

Ata më pas do të dërgohen në spitale izraelite dhe do të takojnë të afërmit e tyre atje, thuhet në deklaratë. Sipas burimeve nga Katari, i cili ishte ndërmjetës i kësaj marrëveshjeje, janë liruar 13 vetë, ndër ta disa gra të moshuara, si dhe nëna me fëmijë.

Ata u liruan pas një marrëveshjeje midis Izraelit dhe organizatës terroriste islamike Hamas. Sipas informacioneve nga Katari, janë liruar edhe dhjetë tajlandezë dhe një shtetas filipinas. Në këmbim nga burgjet izraelite u liruan 39 gra dhe adoleshentë palestineze, tha Ministria e Jashtme e Katarit.

Thirrje për durim dhe ndjeshmëri

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu publikoi një listë me emrat e 13 të liruarve izraelitë. Në të përfshiheshin edhe emrat e katër personave që sipas familjeve të tyre kanë edhe nënshtetësi gjermane. Mes tyre ishte një 34-vjeçare, dy vajzat e saj dy dhe katër vjeç si dhe një 77-vjeçare.

Pas lirimit të pengjeve nuk do të dihet menjëherë shumë për fatin e tyre. Ushtria izraelite u bëri thirrje publikut dhe mediave që të jenë të durueshëm dhe të ndjeshëm. Psikologët mendojnë se sidomos fëmijët mund të jenë të traumatizuar rëndë pas shtatë javësh që i kanë mbajtur peng. Ata kanë qenë dëshmitarë të një dhune tejet të rëndë më 7 tetor. Deri sot është e paqartë se sa nga rreth 240 personat e rrëmbyer janë ende gjallë dhe ku saktësisht mbahen ata në Rripin e Gazës.

Nisin ndihmat humanitare për Rripin e Gazës

Që nga mëngjesi i së premtes në Rripin e Gazës është në fuqi një armëpushim katër-ditor midis Izraelit dhe organizatës terroriste Hamas. Emirati i Katarit, i cili po luan një rol kyç si ndërmjetës mes palëve luftuese, tha se pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në territorin e rrethuar palestinez do të dërgohen furnizime me ndihma humanitare. Qëllimi i Katarit është që armëpushimi aktual të kthehet në një armëpushim të përhershëm.

Gjatë armëpushimit në Rripin e Gazës do të hyjnë çdo ditë nëpërmjet pikës kufitare egjiptiane Rafah 130,000 litra naftë dhe katër kamionë me shishe gazi. Autoritetet egjiptiane thanë se në territorin palestinez do të hyjnë çdo ditë gjithsej 200 kamionë që transportojnë ndihma. Kamionët e parë me ndihma e kanë kaluar tashmë kufirin./DW

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *