Në mbledhjen me grupin parlamentar socialist, kryeministri Edi Rama shpjegoi mënyrën se si do të funksionojë “Pasqyrë Albania”, të cilën e cilësoi si një kontratë të qytetarit me shtetin.
Një nga komponentët e parë të “Pasqyrë Albania” do të jetë “Flamingo Mirror”. Rama tha se aty do të publikohet edhe informacioni lidhur me çështjen e Sazanit dhe zonës Nartë-Pishë Poro, përfshirë dokumentet përkatëse, statusin e negociatave, referencat ligjore, projektin dhe studimin mjedisor.
Rama:
“Qytetari sot duhet të bëjë shumë përpjekje dhe shpesh të pasuksesshme për të ditur se cila zyrë mban çelësin e fatit të një çështjeje. Shteti ka detyrimin të ketë një adresë të vetme publike, për faktin, për statusin dhe provën e çdo çështjeje.
E-Albania do të jetë pjesë përbërëse e Pasqyrës. Dosja personale, dokumentet individuale, komunikimi vetjak për çështje shërbimesh apo çështje hallesh të një qytetari mbeten të mbrojtura dhe vazhdojnë të kryhen përmes E-Albanias.
Halli individual vazhdon të drejtohet me dinjitet dhe konfidencialitet, por risia është që halli individual nuk mbetet jetim në mjegullën e padepërtueshme të xhunglës digjitale.
Pasqyrë Albania informon çdo qytetar të interesuar sa zgjat përgjigjja që duhet të presë. Pasqyrë Albania mban në kontakt të vazhdueshëm çdo qytetar që do të jetë në kontakt të vazhdueshëm, për çdo ndryshim që bëhet në korpusin legjislativ dhe rregullator të Republikës së Shqipërisë dhe do të fitojë një kapacitet të ri që çdo qytetar që do të jetë i informuar përmes celularit, pra, nëse një sipërmarrës do të jetë i interesuar për ndryshimet në ligj, e merr në WhatsApp në kohë reale, sapo ndodh.
Pasqyrë Albania nuk mbledh të dhëna jashtë dijenisë së cilitdo qoftë. Pasqyrë Albania do të informojë në kohë reale çdo qytetar që ndodhet në rrezik zjarri, përmbytje, jo duke pritur konferencën e shtypit të ministrit përkatës, apo duke ndjekur në pasqyrat mediatike se botës i erdhi fundi. Mjeti themelor i Pasqyrës është kartela publike.
Shfaqja e parë e Pasqyrës do të jetë një komponent i saj që quhet Flamingo Mirror.
Tema e Sazanit dhe e Nartë-Pishë Poro do të jetë e gjitha e ekspozuar me dokumentet përkatëse, statusin e negociatave dhe referencat ligjore për të gjitha pikat e ngritura si problem. Aty do të pasurohet hap pas hapi me projektin, studimin mjedisor. Mund të gjeni aty gjithçka që lidhet me temën. Flamingo Mirror është një pasqyrë aktive, është aty e gjallë për t’ju përgjigjur.”
/vizionplus.tv





