E premte, 16 Tetor 2026 Lajme Ora 12:00 dhe Moti deri në 12:20 Në vijim ora 12:20: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Vendi

Hakerat iranianë sulmojnë Kuvendin, grupi “Homeland Justice”: Kemi marrë korrespondencën e deputetëve

Institucionet më të larta të vendit janë sërish në shënjestër të hakerave të huaj. Kësaj here ishte sistemi i brendshëm i Kuvendit të Shqipërisë i cili është përballur me një sulm kibernetik, sulm i cili është marrë përsipër grupi “Homeland Justice”, që besohet se kontrollohet nga iranianët.

Në faqen e tij në Telegram,“Homeland Justice” ka shpërndarë një fotografi ku duken emailet e disa deputetëve të Kuvendit.Madje sipas tyre është marrë e gjithë korrespondeca e Parlamentit.

Reklamë

“Të gjitha bisedat dhe korrespondenca e anëtarëve të korruptuar të Kuvendit gjatë muajve të fundit janë në duart e Homeland Justice. Ne jemi shumë më afër jush sesa mendoni. A i keni strehuar vërtetë ata vrasës dhe vrasës fëmijësh? Ne do të sigurohemi që ky turp të mbetet me ju përgjithmonë”.

Ndërkohë mësohet se aksesi i brendshëm në sistemin e Kuvendit ka probleme të shumta. Duket se ky sulm është i pari në goditjet që paralajmërohen nga grupi i hakerave.

Reklamë

“Kjo është gjithashtu nga qasja e Homeland Justice në të gjithë infrastrukturën kibernetike të Kuvendit të korruptuar dhe sponsorizues të terrorizmit. Përshëndetje një fillimi të ri. Së shpejti anëtarët e korruptuar të këtij parlamenti do të turpërohen për veprat e tyre të urryera”.

Komiteti i Sigurisë Kibernetike po heton ngjarjen ndërsa po llogariten dëmet që mund të jenë shkaktuar nga ky sulm kibernetik.

Nuk është hera e parë që Shqipëria vihet në shënjestër të hakerave iranianë.

Më herët ata depërtuan në sistemet e policisë, kamerat e sigurisë, sistemet e SHISH dhe të disa institucioneve të rëndësishme ku publikuan të dhëna sensitive, ndërkohë që masat parandaluese të shtetit shqiptar për parandalimin e sulmeve kibernetike në atë kohë, dështuan.

Më shumë video

Reklamë