Subscribe

Forca kryesore e koalicionit qeverisës, Partia Socialiste pasi vendosi në mbledhjen e kryesisë të mbështesë kandidaturën e Ilir Metës për President të Republikës, paraditen e kësaj të premteje mori edhe përkrahjen e ligjvënësve socialistë. Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, u vendos që çdo deputet të votojë pro, në votimin e pasdites.

 

Ilir Meta ka siguruar numrin e nevojshëm të firmave, 20 nënshkrime deputetësh, për të qenë zyrtarisht kandidat për President të Republikës. Pasditen e djeshme morri 18 firmat e grupit parlamentar të LSI-së, ndërkohë që ka marrë mbështetje edhe nga deputetë të PS-së.

 

Procedura e sanksionuar në Kushtetutë, përcakton se është Komisioni Parlamentar i Ligjeve të shqyrtojë kandidaturën e depozituar, për të vlerësuar nëse plotësohen kriteret formale ligjore.

 

Të vetmit që do të votojnë kundër kandidaturës së Ilir Metës për kryetar shteti, janë Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi. Blushi thotë se Ilir Meta është Presidenti i Rilindjes dhe jo i Popullit.

 

Parlamenti do të mblidhet në orën 17.00 për të nisur procesin e votimit për Presidentin e Republikës. Ky është raundi i 4-t i votimit, pasi tre të parët u dogjën, me arsyetimin për t’i dhënë më shumë kohë negociatave me opozitën, që kjo e fundit të bëhej pjesë e procesit, për zgjedhjen e një Presidenti konsensual. Kushtetuta përcakton se në këtë raund, mjaftojnë edhe 71 vota deputetësh për të zgjedhur kreun e shtetit, paçka se mazhoranca ka shumicë të cilësuar.

 

Procedura saktëson se, Kuvendi ngre një komision votimi, i cili do të administrojë procesin. Të gjithë deputetët do të thirren në emër për të votuar, në një dhomë të fshehtë, që do të improvizohet një dhomë e fshehtë votimi. Pasi të gjithë ligjvënësit të votojnë, komisioni nis numërimin e fletëve të votimit dhe në fund shpall rezultatin.

 

Ilir Meta, sipas përcaktimeve ligjore do të mund të mbajë postin e kreut të Kuvendit deri më datë 24 Korrik, datë në të cilën Bujar Nishanit, i përfundon zyrtarisht mandati presidencial.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *