“Greqia të heqë ligjin e luftës”, Parlamenti miraton deklaratën me 96 vota
96 deputetë të të gjitha forcave politike votuan sot në parlament një deklaratë ku i bëhet apel Greqisë të heqë ligjin e luftës me vendin tonë, i cili është në fuqi prej vitit 1940.
Deklarata e propozuar nga Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet mori mbështetjen e mazhorancës dhe opozitës, por ra në sy mungesa në sallën e parlamentit e kryetarit të Partisë Bashkimi për të drejtat e njeriut që mbron interesat e minoritetit grek Vangjel Dule.
“Mbajtja në fuqi e këtij ligji është një absurd i madh, një atavizëm që s’u bën nder fqinjëve tonë jugor dhe nuk reflekton partneritetin dhe miqësinë që kemi”, tha Bledi Çuçi.
“Heqja e ligjit të luftës, emancipon jo vetëm marrëdhënien mes Greqisë e Shqipërisë por vetë shoqërinë dhe politikën e vendit fqinj”, tha Agron Gjekmarkaj.
Por përtej votës pro deklaratës për heqjen e ligjit të luftës, opozita akuzoi kryeministrin Edi Rama se me arrestimin e ish-kryetarit të bashkisë së Himarës Alfred Beleri, dëmtoi marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë.
“Marrëdhëniet me Greqinë kanë rënë në nivelin më të ulët falë politikës diletante të Edi Ramës. Në Himarë nuk kemi një problem etnik, por një problem demokracie, nuk kemi një problem me Micotaqis por me një Qeveri shqiptare, e cila tjetërson vullnetin politik dhe u ka vënë syrin pronave strategjike”, tha Gjekmarkaj.
Gjuha e deklaratës së miratuar sot është e kujdesshme dhe në asnjë rresht të saj nuk përmendet çështja çame. Në këtë deklarate vlerësohen marrëdhëniet mes Athinës dhe Tiranës zyrtare dhe kërkohet ngritja e një grupi pune mes dy parlamenteve që të punojnë për heqjen e ligjit të luftës që Greqia vendosi ndaj Shqipërisë në vitin 1940.
Votimi i deklaratës vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë të tensionuara për shkak të çështjes “Beleri”. Prej moment të arrestimit të Alfred Belerit, i cili është pjesë e minoritetit grek, nuk ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë mes Athinës dhe Tiranës zyrtare dhe duket e vështirë që në këtë situatë të gjejnë zgjidhje probleme si heqja e ligjit të luftës, i cili është në fuqi prej 84 vitesh.




