Pikë kalimi kufitar i Kapshticës do të qëndrojë i bllokuar edhe për një javë më shumë. Deri më 26 prill, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë, do të jetë e ndaluar, ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të lejohet nga ora 06:00 deri në orën 22:00, për të gjithë shtetasit dhe kategoritë e mjeteve.

Autoritetet greke e kanë justifikuar masën si një nevojë për menaxhimin e situatës epidemiologjike. Por ndërkohë, shteti fqinj ka bërë të ditur se udhëtarët nga shumë vende që kanë një test negativ PCR ose janë vaksinuar kundër koronavirusit mund të hyjnë në Greqi pa detyrimin për karantinim.

Lista përfshin vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe vendet në Marrëveshjen e Shengenit, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Serbia, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndërkohë vijon puna për formalizimin e pasaportës së vaksinimit e cila pritet të jetë në qarkullim në muajin qershor. Zëdhënësi i komisionit europian, Eric Mamer konfirmoi se fillimisht do të njihen vaksinat e miratuara nga agjencia rregullatore.

 

ERIC MAMER

ZEDHENES I KOMISIONIT EUROPIAN

 

“Dua t’ju kujtoj se komisioni europian dhe shtetet anëtare po punojnë mbi certifikatën e gjelbër dixhitale, e cila fillimisht do të bazohet në vaksinat e miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave. Ndërsa vaksinat e tjera do të diskutohen mes shteteve anëtare.”

 

Pak ditë më parë Këshilli i Europës u ka kërkuar të 47 shteteve anëtare, që të mbrohen të drejtat e njeriut, kur bëhet fjalë për pasaportat e vaksinimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *