Përkeqësimi i situatës së pandemisë në Greqi dhe rritja e numrit të infektimeve gjatë gushtit ka detyruar shtetin fqinj që të ashpërsojë masat kufizuese, të cilat do të jenë të fokusuara tek qytetarët që nuk pranojnë të vaksinohen.

 

Nga 1 shtatori hyn në fuqi pezullimi nga detyra e personelit shëndetësor në sektorin publik dhe privat që ka refuzuar të injektohet me vaksinat kundër koronavirusit.

 

Mësuesit, pedagogët, gazetarët do të duhet të kryejnë 2 herë në javë testin e shpejtë laboratorik, ndërsa punonjësve në sektorët e tjerë do u kërkohet të testohen 1 herë në javë. Edhe studentët duhet të bëjnë 2 teste të shpejta laboratorike në javë, të cilat kryhen ekskluzivisht në qendrat private, me shpenzimet e tyre, 10 euro për test.

 

Ata që udhëtojnë me çdo mjet brenda vendit duhet të paraqesin një test negativ që është kryer të paktën 48 orë para nisjes. Në ambientet  e mbyllura në restorante, kafene, bare, klube do të mund të hyjnë vetëm të vaksinuarit. Autoritetet vendase thane se masat nuk janë ndëshkuese për ata që kanë refuzuar vaksinimin, por janë hartuar për të parandaluar përhapjen.

 

VASILIS KIKILIAS

MINISTRI I SHËNDETËSISË NË GREQI 

 

“Masat e mbrojtjes së shëndetit nuk janë ndëshkuese për ata që nuk pranojnë të vaksinohen. Por  është ajo që ne duhet të bëjmë si një shtet përgjegjës. Është detyrimi ynë ndaj të gjithë atyre që humbën betejën para se të merrnin vaksinën ”

 

Në këtë mënyrë qeveria greke synon që të bindë qytetarët të vaksinohen. Por masat e reja janë kundërshtuar nga opozita e cila ka akuzuar kryeministrin Kiriakos Mitsotakis se nuk po menaxhon ashtu siç duhet situatën.

Në 24 orët e fundit në Greqi janë regjistruar 4608 raste të reja, ndërsa 32 persona nuk arritën të fitojnë betejën me virusin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *