Subscribe

Gjykata e Pireut ka dhënë masën arrest me burg për 11 të pandehurit e dosjes se trafikut të drogës ne rastin e kapjes së gomones me 1,6 ton kanabis, të nisur nga Shqipëria, e që u kap më 25 nëntor pranë Athinës.

 

Trafikantët, të gjithë meshkujt, janë 6 nga Shqipëria , 2 nga Greqia, 2 nga Italia dhe një nga Bullgaria.

 

Sipas akuzës, biznesmeni grek, Spiros Kardamis, përmes kompanive të tij detare, i kishte siguruar organizatës mjete supermoderne dhe të përshtatura posaçërisht, për transportin e drogës. Një prej skafeve është ai që u kap pas ndjekjes nga Korfuzi në ishullin Kea, ndërsa tjetri u sekuestrua në parkingun e skafeve që kishte greku tjetër i pandehur.

 

Media greke citon burime nga akuza, sipas të cilëve, edhe në të kaluarën Kardamis ka administruar skafe që ishin implikuar në trafik droge.

 

Si kreu i organizatës kriminale dyshohet një shtetas italian me moshë 31 vjeç, gjithashtu i arrestuar. Ai ka thënë në hetuesi se gjendej në Greqi që të merrte një skaf e ta çonte në Itali, në një kantier për t’u riparuar dhe se nuk kishte asnjë dijeni për lëndët narkotike dhe transportin e tyre.

 

Të 11 të pandehurit do të mbahen në paraburgim në burgun e Koridalosit në Athinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *