Deputeti i Agimit të Artë, Constantinos Barbarousis u arrestua mëngjesin e se hënës nga oficerë kundër terrorizmit në zonën Penteli të Athinës. Ai ishte në arrati që nga e premtja, pasi u padit nga një prokuror me akuza për tradhti.

 

Në fjalimin e tij para ligjvënësve gjatë një debati mbi një mocion mosbesimi të ngritur kundër qeverisë nga opozita, Barbarousis tha se ushtria duhet të arrestojë kryeministrin Alexis Tsipras, ministrin e mbrojtjes Panos Kammenos dhe presidentin grek Propkopis Pavlopulos, me qëllim bllokimin e marrëveshjes së emrit me Shkupin të cilën e quajti një tradhti kombëtare.

 

Kjo situatë bëri që kryetari i parlamentit të ndalonte partinë e ekstremit të djathtë nga çdo diskutim i mëtejshëm mbi mocionin e mosbesimit dhe të akuzonte Agimin e Artë për nxitje të dhunës. Pak orë më vonë udhëheqja e Agimit të Artë e përjashtoi deputetin nga radhët e partisë duke argumentuar se thirrjet e tij nuk janë në përputhje me idetë e tyre politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *