Subscribe

122 vite burg për grabitësit e Rinasit. Ky është vendimi i Gjykatës së Posaçme për shtatë anëtarët e grupit kriminal, që arritën të marin në mënyrë spektakolare 4.6 milionë euro në mes të aeroportit kombëtar, në prill të vitit 2019.

 

Numri dy i bandës, Klement Çala do të qëndrojë pas hekurave për 20 vite, ndërsa për gjashtë të tjerët të arrestuar për grabitjen: Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, trupa gjykuese dha nga 17 vite burg për secilin.

 

Dënimet janë më të ulëta se ato të pretenduara nga Prokuroria e Posaçme, e cila për Klement Çalën kërkoi 24 vite burg, ndërsa për gjashtë të pandehurit e tjerë nga 19 vite.

 

Të shtatë anëtarët e grupit kriminal do t’i kryejnë dënimet në një burg të sigurisë së lartë dhe vitet e tyrë të burgut llogariten që nga dita që janë arrestuar.

 

I akuzuar si pjesë e bandës është edhe Talo Çela, por gjykimi për të vijon të jetë i ndarë sepse ai është ende në arrati.

 

Grabitja e Rinasit ndodhi në datën 9 prill të 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion.

 

Por gjatë ndjekjes nga policia dhe pas shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë organizatori kryesor I grabitjes, Admir Murataj.

 

Vëllezërit Klement dhe Eldi Çala u arrestuan më 19 mars, vetëm 1 vit pas ngjarjes. Për kapjen e Klement Çalës policia vuri 10 mijë euro shpërblim për këdo që jepte informacion për të. Atyre iu sekuestrua edhe pasuria, apartamente e trualle.

 

Grupi i drejtuar në atë kohë nga Admir Murataj dyshohet se është përfshirë edhe në sulmet me armë në automjetet që transportonin paratë e bankave drejt Rinasit.

 

Ndërkohë që është dyshuar se sasia e parave e marrë në këto ngjarje është më e madhe, e shumë prej tyre nuk janë gjetur ende.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *