Një gjerdan i çmuar me diamante është vjedhur nga Muzeu i Arteve të Aplikuara (MAK) në Vjenë, njoftoi policia austriake. Autoritetet publikuan një fotografi të bizhuterisë, e cila është krijuar nga shtëpia e njohur franceze e argjendarisë Van Cleef & Arpels.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen e muzeut, bizhuteria mund të jetë gjerdani mbretëror i përbërë nga 673 diamante, me një peshë totale prej më shumë se 200 karatësh. Gjerdani i përkiste dikur mbretëreshës Nazli të Egjiptit, e cila e kishte veshur në vitin 1939 në dasmën e vajzës së saj, princeshës Fawzia, me princin e atëhershëm të kurorës iraniane, Mohammad Reza Pahlavi.
Policia bëri të ditur se dy persona të paidentifikuar thyen vitrinën e ekspozimit gjatë orarit të hapjes së muzeut, morën gjerdanin dhe u larguan nga vendngjarja. Nuk raportohet për persona të lënduar.
Gjerdani ishte pjesë e një ekspozite me më shumë se 300 bizhuteri të koleksionit Van Cleef & Arpels, e cila ishte hapur në MAK që prej fillimit të qershorit. Sipas shtëpisë së ankandeve Sotheby’s, kjo bizhuteri ishte shitur në një ankand në Nju Jork në vitin 2015 për rreth 4.3 milionë dollarë.
Muzeu ka konfirmuar vetëm faktin e vjedhjes dhe ka bërë të ditur se nuk do të publikojë detaje të tjera për sa kohë që hetimet e policisë janë në vijim.
/vizionplus.tv





