Subscribe

Deputetët e Parlamentit Europian miratuan me 348 vota pro reformën “copyright”, e cila do të vendosë rregulla të reja në mënyrën se si do të përdoret e drejta e autorit nga gjigandët e internetit.

 

Ky vendim është konsideruar një problem serioz nga shumë përdorues, të cilët shprehen se tashmë interneti është drejt vdekjes pasi rregullat e reja mund të jenë shumë të kushtueshme dhe të bllokojnë shumë përmbajtje.

 

Tani mbetet që shtetet anëtare të miratojnë vendimin në javët e ardhshme.

 

Rregullat e reja nënkuptojnë se Google dhe platformat e tjera në internet do të duhet të nënshkruajnë marrëveshje të licencimit me muzikantët, artistët, autorët, botuesit e lajmeve dhe gazetarët, për të përdorur punën e tyre në internet.

 

Google e YouTube, Instagram e Facebook dhe platforma të tjera të shpërndarjes gjithashtu do të duhet të instalojnë filtra për të parandaluar përdoruesit nga ngarkimi i materialeve me të drejtë autori. Të dyja këto dispozita shkaktuan debat të ashpër mes palëve te interesit.

 

Përgjegjësi për komunikimet dixhitale i Komisionit Europian, Andrus Ansip deklaroi se vendimi siguron balancën e duhur midis interesave të të gjithë lojtarëve, përdoruesve, krijuesve, autorëve, shtypit, duke vendosur detyrime proporcionale në platformat online.

 

Ndërkohë, vendimi ka hasur në kundërshtimin e mijëra qytetarëve që kanë organizuar edhe peticione për anulimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *