Goditet rrjeti i trafikut të drogës, arrestime në Shqipëri, Itali dhe Spanjë
Një mega-operacion policor është zhvilluar mes Shqipërisë, Italisë dhe Spanjës dhe është goditur një grup kriminal që merrej me trafikun e drogës në Europë.
20 prej trafikanteve janë me masë arrest në burg ndërsa 7 janë në arrest shtëpie. Ndërkohë 3 prej persona të kapur janë arrestuar në Shqipëri.
Sipas policisë në pranga kanë rënë Anxhelo Ajazaj, 27 vjeç, Klarens Dalipaj alias Klarens Dhrami, 30 vjeç dhe Xhino Hamitaj, 30 vjeç. Ata dhe Eurel Liçaj që aktualisht ndodhet në burgun e Rrogozhinës akuzohen nga Prokuroria e Romës për grup të strukturuar kriminal në fushën e narkotikëve.
Sipas hetimeve droga ruhej në një qendër të pritjes së emigrantëve në periferi të Romës. Referuar mediave Italiane mësohet se kjo qendër ishte gjithashtu një vend rekrutimi për emigrantët nigerianë, mbajtës të lejeve të qëndrimit të përkohshëm, të përfshirë në aktivitete të paligjshme.
Sasitë e mëdha të marijuanës importoheshin nga Vlora dhe shpërndaheshin në të gjithë Europën falë një aleance mes grupeve kriminale.
Organizata transportonte drogën duke përdorur edhe transportin publik. 27 persona që janë me masë sigurie akuzohen për trafik droge, posedim dhe furnizim me lëndë narkotike, zhvatje, armëmbajtje pa leje dhe regjistrim fiktive të pasurisë.
“Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Alba Tibus.Al”, u vunë në pranga shtetasit A. A., 27 vjeç, K. D. alias K. Dh., 30 vjeç dhe Xh. H., 30 vjeç. Ata dhe shtetasi E. L. që aktualisht po vuan një dënim në IEVP Rrogozhinë, akuzohen në kuadër të një procedimi penal të iniciuar nga Prokuroria e Romës, se në vitin 2019, të organizuar si grup i strukturuar kriminal, kanë trafikuar në Itali (kryesisht në Romë), lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të vijuar bashkëpunimin me partnerët, për veprime të përbashkëta hetimore dhe operacionale, me qëllim goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimit të organizuar dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar “, thuhet në njoftim.
/vizionplus.tv




