Policia shqiptare në bashkëpunim me palën italiane kanë finalizuar një tjetër operacion ndërkombëtar duke goditur një grup të strukturuar kriminal që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës.
Në këtë megaoperacion autoritetet italiane kanë bashkëpunuar me policinë e shtetit, Guardia di Finanza, SPAK, si dhe agjencitë partnere ndërkombëtare, ku kanë arritur në arrestimin e disa personave të përfshirë në rrjetin kriminal të kokainës.
Në pranga janë vendosur 12 persona, ndërsa 8 të tjerë janë nën hetim.
Sipas bluve në Shqipëri janë kapur Igli Dervishi, Shkëlqim Pashja, Ervin Dema, Edmond Zhuja dhe Genti Berisha. Ndërkohë një 28-vjeçar është shpallur në kërkim.
Sipas policisë në Spanjë është arrestuar një tjetër shqiptar Gerardo Pashja i njohur ndryshe si Astrit Pashja.
Personat e kapur në vendin tonë pritet që të esktradohen në Itali ku do të përballen me akuzat e ngritura nga gjykata italiane.
Sipas mediave të vendit fqinj, mësohet se ky grup drejtohej nga Suel Çela dhe vëllai i tij Mario Çela. Sipas tyre, ata drejtonin operacionet e importimit dhe tregtimit të lëndës narkotike dhe grumbullimin e të ardhurave, të cilat dërgoheshin në Shqipëri duke shfrytëzuar bashkëpunimin e drejtuesve të autobusëve që operonin linjën Breshia-Elbasan.
Hetimet kanë provuar se ky grup kriminal përdorte automjete të modifikuara për të fshehur lëndën narkotike dhe e trafikonte atë drejt qyteteve të Italisë dhe vendeve të tjera në Europë.
Hetimet kanë nisur përpara 3 vitesh. Në 2021, një person u kap me 350 kg kokainë, ku hetimet më pas treguan se ai ishte pjesë e një grupi të madh kriminal që trafikonte drogë nga vendet e Amerikës Latine. Ndërkohë Suel Çela është ende në kërkim nga SPAK jo vetëm për drogë, por edhe për vrasje të mbetura në tentativë.