Goditen trafikantët në Durrës, arrestohen 15 persona, sekuestrohet kokainë, heroinë dhe armë
Policia e Durrësit ka arrestuar 15 persona, 3 të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërkohë që 4 qytetarë janë vendosur në hetim si pjesë e një operacioni që synonte të godiste trafikun e lëndëve narkotike dhe fenomenin e armëmbajtjes pa leje.
Gjatë operacionit me emrin “Summer” u sekuestruan qindra doza kokainë, heroinë e kanabis, një arsenal armësh, 20 telefona celular, 7 makina, si dhe një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Mes 3 personave të shpallur në kërkim nga policia është edhe drejtori i shkollës së muzikës “Jan Kukuzeli” në Durrës, Dashamir Mehmeti. Policia ka organizuar një blerje të simuluar droge te drejtori i shkollës së muzikës, duke provuar përfshirjen e tij në trafikun e narkotikëve.
Gjatë kontrollit në banesën e 41-vjeçarit Dashamir Mehmeti policia ka sekuestruar një pistoletë.
Përgjatë dy muaj hetimesh agjentët e policisë kanë bërë blerje të simuluara të drogës te persona të ndryshëm, duke regjistruar me dron momentet e shitjes së drogës e duke përdorur përgjimet ambientale për të faktuar veprimtarinë kriminale./vizionplus.tv




